Ministria e Mbrojtjes: Garantojmë se ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk do të mbesin pa ushqim.

Përmes një komunikate të lëshuar për media, Ministria e ka cilësuar si propagandë atë që po raportohet tash e sa ditë në media dhe rrjete sociale, duke thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash.

Sipas tyre, s’ka mungesë të ushqimi, as cilësisë, por ka mungesë të stafit Teknik.

Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, thuhet në komunikatë.

Tutje, nga Ministria kanë folur edhe për letrën e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, drejtuar ministrit Ejup Maqedonci, duke thënë se kjo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm, ku raportohen vështirësitë që hasen gjatë rrugës.

Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”, pohuan nga Ministria e Mbrojtjes.

Lexo edhe:  Revolen me emblemën e UÇK-së pranë, del një foto tjetër e Faton Hajrizit