Ministrat vonohen 40 minuta në konferencë, bojkotohen nga gazetarët

Mediat kanë bojkotuar konferencën që zakonisht mbahet pas mbledhjes së qeverisë.
Gazetarët kanë vendosur të mos presin më gjatë në sallën e konferencës, për shkak të vonesës prej 40 minutave të ministrave për të dalë para gazetarëve, shkruan lajmi.net.

Në konferencë pritej që të dilnin ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Paraprakisht, askush nga qeveria nuk njoftoi se do të ketë vonesa, por pasi kanë parë gazetarët duke u larguar nga salla, zyrtarët qeveritarë janë arsyetuar duke thënë se ka pasur një mbledhje të brendshme të ministrave pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë.

“A mund të ua kërkoj si favor qëndrimin në konferencë? Është e rëndësishme, janë dy ministra këtu. Nëse dikush e ka vendos individualisht nuk ka problem”, ishin disa nga fjalët me të cilat zyrtari i Qeverisë është munduar të bindë gazetarët në prezencë të ministrit Hekuran Murati që të kthehen në sallën e konferencës, por të njëjtit i kanë thënë se tashmë kanë vendosur të largohet pasi që nuk është hera e parë që presin.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vazhdim