Minatori shpërthen në lot në Kuvend: Lëreni politikën, bëhuni bashkë pozitë e opozitë e shpëtoni minatorët
Sindikalistët e Trepçës janë pritur në takim nga disa deputetë në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Një nga ta është shprehur shumë i prekur me situatën, teksa u ka bërë thirrje edhe pushtetit edhe opozitës që të bëhen bashkë, dhe të bëjnë zgjidhje për minatorët.
Sami Peci në lot ka thënë se situata në të cilën ndodhen ata kërkon zgjidhje të menjëhershme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
” Unë jam Sami Peci, minator e sindikalist. Ju kisha lutë se jom shumë i emocionum, shpëtona jetën minatorëve. Bëni një grup nga të gjitha partitë, lëni inatet mes vete, për çështjen e minatorëve lëni inatet. Minutat janë në pyetje.
Ju të jeni të besum hajdeni me neve, kemi me shku bashkë me i pa minatorët. Lene çështjen se kush është organizator, kush në këshill kush në nuk është, se janë krejt minatorët. Vetë kërkesa dihet çka po lypet, analizoni ju jeni ma të meçëm, keni shkollë ma shumë, analizoni kërkesat. Mos u merrni me çështje politike me neve kërkush por bëni zgjidhje sa më shpejt, ju kisha lutë, me neve pa neve bëni zgjidhje. Munet me ndodhë edhe tjetërçka, e përgjegjësinë kush e merr. Atëherë s’ka çka na vynë as përgjegjësia, kur të shkon jeta e minatorëve. Ju lutem bëni bashkë, se i njohim të gjitha partitë se na kemi dhënë vota. E ditmë kush o Qeveria. Leni politikën e bënu bashkë e shpëtoni minatorët”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku po diskutohet lidhur me situatën aktualen në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A..
Sot është dita e tetë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim. /Reporteri.net/