Milan Radojçiq e rrah brutalisht Aleksandër Spiriqin

Kryetari i Komunës paralele të Mitrovicë së Veriut, Aleksander Spiriq, është rrahur brutalisht nga Milan Radojçiq. Një gjë të tillë për Dukagjini e kanë konfirmuar burime brenda organeve të sigurisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar, ndërkohë që nga të njëjtat burime nga organet e sigurisë konfirmohet se Aleksandër Spiriq është dërguar në malet e Kopaunikut dhe atje është rrahur brutalisht nga ana e Milan Radojçiqit.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur për shkak se Radojçiq ka dyshime se Aleksandër Spiriq ka bërë keqpërdorim të fondeve, por edhe është takuar me persona që për nënkryetarin e Listës Serbe, konsiderohen të dyshimtë.

Ndërkohë, Aleksandër Spiriq është duke u trajtuar diku në një spital në Serbi dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Milan Radojçiq, është vendosur në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të ShBA-së. Po ashtu, ai dyshohet të ketë dorë në vrasjen e politikanit serb, i cili jetonte në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Grupi i Radojçiqit dyshohet të jetë i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës.

Edhe pse dyshohet për vrasje e krime të ndryshme, Radojçiq vazhdimisht mbrohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

 

 

Lexo edhe:  Gjergj Dedaj, i mllefosur: Më shkarkuan brenda ditës, edhe me vra dikënd nuk bëhet kështu