Mesiq: Kosova është një fakt që Serbia nuk mund ta kundërshtojë

Ish-presidenti i Kroacisë, Stejpan Mesiq, thotë se Kosova është një fakt që Serbia nuk mund të kundërshtojë, por se për të dy shtetet do të ketë penalizime për mosbashkëpunim.

Mesiq, gjatë një vizite në prefekturën e qarkut të Vlorës bashkë me delegacionin kroat të Prefekturës së Medimurjes, foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur” të cilën e ka thënë se e mbështet.

“Nëse vendet hapin kufijtë e tyre, atëherë do të thotë që qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm dhe kështu rritet më tepër bashkëpunimi duke bërë që të kemi paqe në Rajon”, është shprehur Mesiq.

I pyetur për vendimin e Kosovës për të qëndruar jashtë “Ballkanit të Hapur”, Mesiq tha: “Tashmë Kosova është një fakt që Serbia nuk mund ta kundërshtojë. Shumë shpejt, Serbia dhe Kosova do të kuptojnë rëndësinë dhe penalizimet e mosbashkëpunimit”.

Mesiq, mes tjerash, foli edhe për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Vendet që janë anëtarësuar në BE, deri më tani, janë të lodhura nga Bashkimi Evropian, ndërsa ato të cilat presin anëtarësimin, janë të lodhur nga pritja. Zgjidhja është nëse vendet që nuk janë anëtarësuar të përshpejtohen procedurat që të jenë edhe këto të fundit pjesë e BE-së”.

Lexo edhe:  Vendet që mbesin pa energji elektrike sot