Mërgimtarja çon në këmbë Policinë, zbulohet se denoncoi rrejshëm vjedhjen e veturës luksoze

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Një rast i tillë është denoncuar në muajin korrik nga një mërgimtare në Prevallë, e cila pretendonte se dikush ia ka vjedhur veturën e rreth 30mijë eurove. Pasi Prokuroria ishte vënë në dijeni për rastin, hetimet kishin nisur që dëshmuan se nuk ka farë të bëjë me vjedhje të automjetit. Sinjali mëson se gruaja që kishte raportuar si viktimë tash do të cilësohet si e dyshuar, për lajmërim të rrejshëm.

Kur e raportoi rastin dhe si u zbulua që gruaja në fjalë dyshohet se ka dhënë deklaratë të rrejshme?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se në fund të muajit korrik gruaja në fjalë kishte denoncuar në Polici se i është vjedhur vetura Mercedes, me targa të shtetit të Zvicrës. Si rezultat i raportimit, njësia hetueseve ishte aktivizuar për të mbledhur prova që dëshmojnë vjedhjen e veturës dhe identifikimin e të dyshuarve.

Për të zbuluar se si u vodh vetura dhe nga kush, Policia ka siguruar disa pamje nga kamerat e sigurisë përreth vendit ku denoncuesja pretendonte se i është vjedhur makina. Në këto pamje, siç mëson Sinjali nuk është dëshmuar një gjë e tillë.

Pas ngritjes së dyshimeve se nuk ka të bëjë me vjedhje të veturës, Policia ka bashkëpunuar me shtetin e Zvicrës, por që ka rezultuar se një veturë e tillë nuk gjendet as atje.

Kjo ka provuar se gruaja e dyshuar ka lajmëruar rrejshëm vjedhjen e veturës dhe në bazë të kësaj, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin si ‘Lajmërim apo kallëzim i rremё’ dhe ka urdhëruar dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Remi: Kurtin e kam pasur bashkëluftëtar në UÇK, në qeveri po u bën dëme veteranëve