Mërgimtari përfundon në Polici pasi erdhi për pushime, bashkëshortja e denoncon për dhunë

Numri i rasteve të dhunës në familjet kosovare është në rritje çdo ditë e më shumë. Jo rrallëherë ndodh që në Polici të denoncohen edhe problemet mes çifteve nga diaspora, të cilët i zë sherri posa arrijnë në Kosovë. Burrat, ata që raportohen për dhunë ndaj grave të tyre goxha shpesh i kalojnë ditët e pushimit në qendrat e ndalimit e ato të paraburgimit.

Kështu ka ndodhur edhe sot në mëngjes në Shipol të Mitrovicës, ku një mërgimtare e ka denoncuar bashkëshortin e saj dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka raportuar se pasi ka ardhur nga Italia për pushime në Kosovë, ka pasur konflikte verbale me burrin e saj, që kanë eskaluar edhe në dhunë fizike e psikike.

Sinjali mëson se ndër të tjera, viktima ka raportuar se një rast i tillë ka ndodhur edhe para disa ditësh për shkak të xhelozisë.

Të gjitha detajet të asaj që kishte ndodhur mes tyre, viktima i ka rrëfyer në Polici, me rastin e denoncimit.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Bukëpjekësi shqiptar impresionon kroatët me çmimin e lirë të bukës