Mehaj: Vuçiq po kërkon destabilizimin e Kosovës, dronët pretekst që ta rris numrin e trupave në kufi me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar pasi mediat serbe raportuan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka urdhëruar ushtrinë e tij që t’i lëshojë disa avionë luftarakë për t’i shkatërruar “dronët e armikut”, të cilët thonë se vëzhguan pozicionet e ushtrisë serbe, e cila sot u urdhërua të vendoset në gjendje gatishmërie.

Mehaj tha se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe se kjo është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës.

“Në lidhje me deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve; Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut”, tha ai.

Tutje, Mehaj tha se ky është tentim për destabilizimin e Kosovës, e për të ngjallur frikë tek komuniteti serbë.

Lexo edhe:  Plaçkitet një person në Mitrovicë, dy të maskuar i grabitin një shumë parash