“Me bo zhurmë, t’gjujna”: Hajni e mbyll në dhomë një grua në Podujevë, vjedh stoli në vlerë të 7 mijë eurove
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Ka plot raste kur anëtarët e familjet hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Sibofc të Podujevës, ku një person i panjohur ka hyrë brenda një shtëpie dhe më pas është ballafaquar me pronaren e shtëpisë.
Sinjali mëson se 30-vjeçarja ishte në gjumë dhe papritmas kishte dëgjuar një zhurmë në dhomën tjetër të shtëpisë. Pasi kishte tentuar që të dalë nga dhoma për të parë se çfarë po ndodh, i dyshuari e kishte mbyllur në dhomë dhe të njëjtën e kishte kërcënuar se nëse bën zhurmë, do ta gjuajnë.
Të dyshuarit kanë arritur që të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që ankuesja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka bërë me dije se hajnat morën stoli ari në vlerë të rreth 7 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje grabitqare’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen të dyshuarit.