Më 2022 vdiqën 5 fëmijë deri në 12-vjeç, në vigjilje të vitit të ri shkollor policia bën thirrje për kujdes të shtuar në trafik

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik.
Në apelin e policisë thuhet se fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.

“Viti i ri shkollor fillon në shtator dhe fëmijët sërish bëhen pjesëmarrës aktivë në trafik! Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas policisë, në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre pesë kanë qenë deri në moshën 12-vjeçare, shtatë kanë qenë nga mosha 13 deri 18-vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19-vjeçare.

Në vitin 2022 thuhet se në trafik janë lënduar 14 mijë e 714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12-vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18-vjeçare dhe 12 mijë e 965 persona kanë qenë mbi moshën 19-vjeçare.

“Për të minimizuar këto shifra dhe për të kontribuar për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht fëmijëve, përgjegjës jemi të gjithë”, ka thënë tutje policia.

Lexo edhe:  Përfshihet nga zjarri një veturë në Jezerc, shoferi me familjarë shpëtojnë