Mbyllet një restorant në Prizren pas dyshimeve për helmim të tetë qytetarëve
Tetë persona dyshohet se janë helmuar të dielën (28.07.2024) në një restorant në qendër të Prizrenit. Me të marrë informacionin Inspektorati Regjional i Prizrenit doli në terren dhe pas inspektimeve të bëra në këtë lokal vendosi që ta mbyllë deri në marrjen e rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK).
“Ju njoftojmë se Inspektori Regjional i Prizrenit me të marrë informatën se në lokalin në fjalë dyshohet se tetë persona janë të hospitalizuar ka dalë në teren për inspektim dhe ka mbyll lokalin në fjalë deri në daljen e rezultateve nga IKShPK-së”, thuhet në përgjigje e Inspektoratit për “Betimi për Drejtësi” dërguar të premten.
Në anën tjetër, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thotë se kanë bashkëpunuar me Inspektoratin Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të njëjtët janë angazhuar në marrjen e strishove nga higjiena personale dhe ambienteve të punës, mirëpo në sqarim thuhet se gjatë inspektimit kanë hasur në rezistencë nga subjekti në fjalë dhe si pasojë e kësaj ekipi veterinar është tërhequr.
“Inspektori sanitar është angazhuar në marrjen e strishove nga higjiena personale dhe ambienteve të punës, kurse inspektorët veterinar të bëjnë mostrimin e produkteve ushqimore. Fillimisht strishot janë marrë nga ana e inspektorit sanitar, kurse me të filluar te marrja e mostrave të produkteve inspektorët kanë hasur në rezistencë verbale nga ana e subjektit ku me këtë rast është tërhequr ekipi veterinar”, thuhet në përgjigje.
“Më pastaj është krijuar ekip tjetër inspektuese e udhëhequr nga koordinatori i Zyrës se AUV-së Prizren. Gjatë procedurës mostruese janë marrë 4 mostra të produkteve të mishit (pleskavic, qebap, qofte dhe mish i bardhë pule) të pafërguara dhe 2 mostra të sosrave. Gjatë kohës se kryerjes së inspektimit kemi pasur rezultate të analizave të koprokulturës së pacientëve”, thuhet tutje.
Tutje, thuhet se AUV është në pritje të rezultateve laboratorike të mostrave dhe varësisht nga gjetjet do të ndërmerren veprimet sipas procedurës ligjore.
Në anën tjetër, në një përgjigje të spitalit të Prizrenit dhënë për “Betimi për Drejtësi” të enjten thuhet se tetë pacientët e helmuar pas kontrollit të bërë janë lëshuar për në shtëpi.