Mbyllet “Fadil Vokrri”, do të rinovohet plotësisht fusha

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas vendimin të UEFA-s për moszhvillimin e ndeshjeve në këtë stadium, duke thënë se në bashkëpunim me ministrinë e Sportit, do të bëhet rinovimi i plotë i fushës, investim ky që do të kryhet nga MKRS-ja.

FFK-ja bëri të ditur se kreu i federatës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, janë dakorduar për ta transformuar tapetin e stadiumit në fushë hibride të nivelit më të lartë.

“Do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes”.

“Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Më tej, FFK-ja bëri të ditur se nga tani e deri në renovimin e plotë, aktiviteti i futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” do të pushojë, e si rrjedhojë, edhe ndeshjet miqësore të kombëtares së Kosovës të muajit mars do të zhvillohen jashtë vendit.

“Megjithatë, e sigurojmë opinionin se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i gatshëm për të mirëpritur ekipet kombëtare dhe klubet nga edicioni i ardhshëm”.

“Me këtë rast shprehim keqardhje që Ballkani ndeshjen kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës do të jetë i detyruar ta luajë në ‘Air Albania’, por jemi të bindur se në të ardhmen më nuk do të ketë nevojë që klubet dhe kombëtarja jonë të luajnë larg tifozëve të vet, ngase përveç investimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, tashmë kanë filluar edhe projektet e tjera, siç është stadiumi i qytetit në Gjilan dhe stadiumi ‘Adem Jashari”, derisa në të ardhmen e afërt pritet të realizohen edhe projekte tjera nga ana e ministrisë”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Kjo është vlera milionëshe e parave të humbura në Trust

Tutje, në reagim thuhet se deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të ngarkesës së madhe të kësaj fushe, ngase sipas FFK-së, “Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm i kategorizuar nga UEFA.

“Ndonëse kohët e fundit e kemi pasur të angazhuar edhe ekspertin nga UEFA me këshilla dhe ndihmë për mirëmbajtjen e fushës, si dhe kemi angazhuar një kompani të specializuar, kushtet atmosferike që kanë mbizotëruar në vendin tonë që nga ndeshja me Rumaninë kanë bërë që fusha të dëmtohet në masë të madhe. Si pasojë e drezhanimit të dobët por edhe ngarkesës me ndeshje, ka qenë e pamundur që fusha të kthehet në gjendje optimale, ndonëse disa herë falë përkushtimit të stafit të mirëmbajtjes së fushës është arritur të rikthehet bari dhe fusha të jetë e gatshme për lojë”, thuhet në reagim