Mbi 10 automjete të KFOR-it arrijnë në Jarinje, sigurojnë kufirin e Kosovës

Mbi dhjetë mjete ushtarake të KFOR-it kanë arritur në pikën kufitare në Jarinje mëngjesin e sotëm.

“Jepi zë” ka mësuar nga burime brenda Policisë, se KFOR-i ka arritur këtë mëngjes në pikën e Jarinjes ku ka nisur një izolim me tela gjemborë.

Kjo, sipas burimeve, po bëhet për ta siguruar pikën kufitare të Kosovës, e cila dyshohet të jetë cak i disa nacionalistëve serbë gjatë një proteste të paralajmëruar për sot.

Sipas paralajmërimeve, qëllimi i këtyre nacionalistëve është heqja e pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinje.

Këtë rrezik e kanë raportuar disa mediume në Kosovë, duke cituar ekspertin e sigurisë Agim Musliu, i cili tha se ka rreizk për një akt agresioni ndaj kufirit të Kosovës.

Musliu tha se qindra serbë nacionalistë, të lidhur me Rusinë, gjatë të dielës në mesditë kanë deklaruar se do të vijnë për të hequr pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një sulm ndaj pikës kufitare është paralajmëruar përmes organizimit të një “proteste”. Nëse kjo ndodh, përgjegjësia nuk është vetëm e Vuçiqit, por edhe e atyre që ende e konsiderojnë faktor paqje. Kosova nuk është vetëm për t’i vënë kushte që të plotësohen standardet integruese evropiane; nuk është vetëm për t’i kërkuar edhe të drejta për qenët në rrugë sesi duhet të trajtohen …Shqiptarët e dijnë që çlirimi i Kosovës dhe shqiptarëve janë projekt i së drejtës historike të lirisë kundrejt barbarisë. Për këtë i jemi mirënjohës të gjithë miqve. Por, ky projekt, i së drejtës së lirisë kundër barbarisë duhet të mbrohet”, ka thënë Musliu.

Kujtojmë që rruga magjistrale në drejtim të Jarinjes është bllokuar që prej më shumë se një jave, pasi u vendosën barrikada në rrugë. Kjo ka bërë që edhe policët që ishin në pikën kufitare ditën e vendosjes së barrikadës, të mbesin atje pa mundësi për t’u ndërruar nga kolegët.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Pas një sëmundje të rëndë vdes i riu nga Skenderaj