Mashtrohet gjakovarja, ia dërgon rreth 10 mijë euro ‘shokut’ të Facebook-ut që iu prezantua si pronar i banesave

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues.

Pre e një mashtrimi të tillë kanë rënë edhe një grua nga Gjakova, e cila ka paguar mijëra euro për “blerjen e një banese”. Gjithçka nisi nga Facebook-u, por si rasti përfundoi në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima është një 57-vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi raportoi se ia ka paguar rreth 10 mijë euro një personi, me të cilin ishte njoftuar në rrjetin social “Facebook”.

I dyshuari, sipas dëshmisë së viktimës, kishte kontaktuar me të duke u paraqitur si shitës i komplekseve të ndryshme banesore dhe ka arritur ta mashtrojë, me premtime të rrejshme. Sinjali mëson se nga deklarata e gruas është kuptuar se i ajo ia ka dërguar paratë në disa pjesë, në periudha të ndryshme.

Plani i të dyshuarit për t’i marrë të hollat i funksionoi, pasi e lidhi rastin me një ‘sëmundje’. Viktima ka deklaruar se i njëjti i ka kërkuar para me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, e të cilat do të ia kthente kur t’ia shiste një banesë.

Paratë që i dha me shpresën se do t’i kthente i dyshuari sërish e bënë qyl viktimën. ‘Shoku’ i Facebook-ut nuk u bë më i gjallë, çka e shtyri 57-vjeçaren të dyshojë, me ç’rast e denoncoi rastin.

Sinjali mëson se pas dhënies së deklaratës së viktimës dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”, derisa të zbulohen detajet të tjera dhe të zbardhen në plotni rrethanat e rastit.

Lexo edhe:  Këshilli i Bashkimit Evropian mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën