Mashtrohet banka TEB: Një person përfiton kundërligjshëm, mori 10 mijë euro kredi me dokumente fals

Paraqitja e rreme e fakteve, duke i fshehur apo në çfarëdo forme tjetër mashtruese, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, përbën vepër penale.

Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për shuma të majme parash. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një zyrtrar i “TEB”-it, rast ky që u denoncua muajin e kaluar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Gjithçka në këtë rast lidhet me një kredi. Marrjen e një shume të caktuar nga cilado bankë në vend në formë kredie, e përcjellin një mal me dokumente që klienti duhet t’ia prezantojë bankës, si garanci për kthimin e të hollave që merr.

Kështu kishte vepruar edhe një 34-vjeçar, në fillim të këtij viti, kur vendosi që të aplikojë për kredi, në degën e TEB-it në Fushë Kosovë. I dyshuari arriti që t’i marrë hiç më pak se 10 mijë euro kredi me dokumente të falsifikuara.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari F.Sh., duke i paraqitur dokumentet e rreme si të vërteta, ka mashtruar bankën dhe si rezultat ka futur në xhep paratë, që i kërkoi si kredi.

Sinjali mëson se pas raportimit të rastit, hetuesit policorë kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast kanë arritur që të sigurojnë prezencën e personit të dyshuar, i cili ka përfunduar të hënën në Polici.

I njëjti është intervistuar në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij dhe më pas, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.

Lexo edhe:  Rast i rëndë për familjen Komani, 56-vjeçari gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij