Mallrat serbe: Për një muaj hyjnë 750 dërgesa në Kosovë
Hyrja në territorin e Kosovës pas disa orë në kolonë vazhdon edhe me një kohë pritje shtesë për mallrat serbe.
Tash e 28 ditë maunet me mallra serbe lejohen të futen në Kosovë kah pikë kalimi kufitar në Merdar, por me kontrolle të detajuara nga doganierët.
Gjatë kësaj kohe, kishte ankesa nga Serbia për radhë të gjata të kamionëve, për çka edhe Gjermania si kërkuesi më i madh i heqjes se bllokadës tha se dëshiron lëvizje më të shpejtë.
Dogana e Kosovës, tha për Klanin se deri të premten nga fqinji verior janë futur 750 dërgesa ku dominon ushqimi e ndërtimi, e po punojnë me staf maksimal.
Punën e ka vështirësuar Serbia që ka përzier ngarkesat nga vendet e treta me ato nga ky shtet, gjë që e ndërlikoi procedimin në pikën më të madhe kufitare mes vendesh.
Kërkesën gjermane, partia në pushtet e mirëkupton por prioritet për të mbetet evitimi i çdo rreziku.
Berlini sipas deputetes Jeta Statovci, është partneri kryesor për sigurimin e skanerëve për pikat tjera kufitare. E ky arsyetim po i duket i kotë deputetit Ferat Shalës nga PDK-ja opozitare.
Ditën kur Kosova ndërroi masën më 8 tetor, ministri brendshëm Xhelal Sveçla pati thënë që kompanitë duhet bërë llogaritë më mirë, që të mos mbesin nëpër kolona shkaku i kontrolleve.