Llapjani e rrah gruan pasi i kërkoi para për patentë shofer, përfundon në pranga të Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet. Një rast i tillë është raportuar edhe të hënën, në fshatin Peran të Podujevës, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije për Sinjalin se gruaja është pranuar në këtë qendër me lëndime trupore, si pasojë e dhunës së ushtruar nga burri i saj, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete.

Rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes dhe gjithçka dyshohet se nisi pas një debati që çifti kishin nisur për patentë shoferë. Sipas informacioneve të para, gruaja kishte kërkuar nga burri që t’i jap para për t’iu nënshtruar testit për ta marrë lejen, por i njëjti kishte refuzuar dhe iu ka vërsulur.

Për shkak të dhunës, viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa bashkëshorti i saj është shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratë, me ç’rast ka mohuar ta ketë sulmuar fizikisht. Sipas tij ata kanë pasur vetëm zënkë pasi ai ka kërkuar nga bashkëshortja që të kursejë të holla.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Istog: Djali i dehur e lëndon me thikë nënën e tij ditën e Vitit të Ri