Llapjani e rrah brutalisht bashkëshorten dhe e kërcënon: Kom me t’vra

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së sotme edhe një grua nga Podujeva, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj me të cilin është e martuar që disa vjet, për dhunën fizike e psikike që ia ka shkaktuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti i fundit që ndodhi mëngjesin e sotëm ka qenë i frikshëm pasi viktima ka rrëfyer se si burri e ka sulmuar fizikisht, e ka zvarritur nëpër shtëpi e më pas e ka kërcënuar edhe me vrasje.

Sinjali mëson se i dyshuari, i cili ishte i dehur e ka paralajmëruar edhe djalin e tyre, se do t’ia vras nënën dhe ka vazhduar me sjellje agresive derisa u arrestua nga Policia.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar fillimisht në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, e më pas u shoqërua në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  E tmerrshme: Një nxënëse në Prishtinë rrihet nga bashkëmoshataret, mbetet pa vetëdije