Lirohet nga paraburgimi ‘Bio Mulaku’

Nazim Mulaku, i njohur me nofkën ‘Bio Mulaku’ është liruar nga masa e paraburgimit me vendim të Gjykatës Supreme.

Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur avokati i tij, Fanol Krasniqi. Avokati i Mulakut njoftoi se pasi që edhe Apeli e kishte refuzuar kërkesën për ndërprerje të masës së paraburgimit për klientin e tij, ai e kishte dërguar në Supreme.

Pas lirimit nga paraburgimi, Mulaku ka bërë publike një fotografi me avokatin e tij.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të cilin e ka parë Insajderi, i jepen të drejtë pretendimeve të mbrojtjes në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Kjo Gjykatë konsideron se nuk qëndron baza ligjore e parashikuar me neni 184, paragrafi 1, nën- paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, ngase edhe pse i pandehuri ka vendqëndrim në Zvicër, prania e tij mund të sigurohet me anë të sekuestrimit të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit të të pandehurit, flesave, bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë apo masave tjera të përshtatshme.

Po ashtu edhe sa i përket bazës ligjore të parashikuar me dispozitën e nenit 184, paragrafi 1 nën- paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2, të KPP-së, ngase siç rezulton nga shkresat e lëndës, nuk është gjetur ndonjë rrethanë konkrete e cila do të konfirmonte frikën e bazuar se të pandehurit do të do ndikojnë te dëshmitarët të cilët janë të supozuar, pasi që nuk janë cekur emrat e tyre dhe ende nuk dihet se kush mund të jenë.

Gjithashtu, edhe sa i përket bazës ligjore të parashikuar me dispozitën e nenit 184, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.3 të KPP-së, duke pasur parasysh rrethanat personale të të pandehurve, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit edhe pse është theksuar fakti se i pandehuri i parë (Nazmi Mulaku) edhe më parë ka qenë i gjykuar për vepra penale, nuk është specifikuar dhe mbështetur në aktgjykime të cituara me numër dhe se nuk kanë dhënë ndonjë arsye konkrete tjetër përpos përshkrimit të veprimeve të të pandehurve”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Supremes.

Lexo edhe:  Doktori flet për gjendjen e të rinjve që u therën me thikë në Viti

Policia e Kosovës e kishte arrestuar ‘Bio Mulaku’-n për ‘Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ dhe ‘mashtrimit’.

Nazmi Mulaku, i njohur në “TikTok” si Bio Mulaku, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje, si depresioni etj. /Insajderi.org/