Lirimi i Enver Sekiraqës, reagon OVL e UÇK-së: Dyshohet se ka dëshmuar në Hagë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me rastin e Enver Sekiraqës, lirimi i të cilit u bë përmes vendimit të gjyqtarit Agim Kuçi, transmeton Periskopi.
Nga OVL e UÇPK-së, thuhet se, dyshohet se Sekiraqa, nga lirimi i tij, ka përfituar ‘‘për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.
‘‘Organizata e Veteranëve të UÇK-së e sheh këtë si një akt të rëndë dhe të qëllimshëm që mund të interpretohet si pjesë e një skenari të mirëkoordinuar kundër luftës sonë çlirimtare dhe vlerave që përfaqëson ajo. Të japësh liri një personi me të kaluar kriminale, i cili më herët ka shkelur masat e arrestit, është jo vetëm papërgjegjësi profesionale, por edhe cenim i drejtësisë dhe sigurisë kombëtare’’, thuhet mes tjerash në reagimin e organizatës.
Tutje, nga OVL kërkohet që të ketë hetim të menjëhershëm ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz, dhe që gjithashtu të qartësohet urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë.