Lipjan: Burri kërcënon gruan me të cilën bashkëjeton, 58-vjeçarja e denoncon për të shtatën herë
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Në Polici kanë përfunduar sot edhe një çift nga Lipjani, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas me të cilën bashkëjeton.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se 58-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se i dyshuari ka tentuar ta godas me një dru dhe e ka fyer me fjalë të rënda.
Sipas burimeve, viktima ka denoncuar 38-vjeçarin edhe gjashtë herë tjera brenda tri viteve, gjë që ka rezultuar edhe me paraburgosjen e të dyshuarit disa herë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka mohuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.