“Lëshoje shtëpinë ose të vras”: Trashëgimia e fut në sherr një familje në Prishtinë, 65-vjeçari kërcënon motrën

Çështja e pjesëmarrjes në trashëgiminë familjare nga ana e grave vazhdon të mbetet në suazat e tabusë brenda familjeve.

Për pasojë, jo rrallëherë ka konflikte që eskalojnë në kanosje e konflikte serioze. Një rast i tillë po dyshohet se ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku Policia ka intervenuar në rrugën “Ali Pash Gucia”, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një grua e ka denoncuar në Polici vëllain e saj, duke raportuar për kanosjet e vazhdueshme që ka marrë nga ai dhe shqetësimin që po ia shkakton për shkak të trashëgimisë.

Sinjali ka mësuar se bazuar në dëshminë e viktimës, vëllai 65-vjeçar i ka kërkuar ta largohet nga shtëpia e tyre, në të cilën jetojnë me hyrje të ndara, duke e kushtëzuar se nëse nuk vepron, “do të vras”.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që të kërkojë ndihmë dhe si rezultat njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes.

Palët që janë përfshirë në rast kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin dhe më pas, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ndaj të dyshuarit për veprën penale “Kanosje”.

Lexo edhe:  Shkak i një traktori, drenicasi kërcenon një person “Kom me ta dhanë plumbin në kry”