Lajmi i mirë: Lirohet nga spitali polici i plagosur dje në veri
Zyrtari policor, Alban Rashiti, që u plagos dje në veri është liruar nga Qendra Klinikë Universitare, ku po trajtohej.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.
“Po, është liruar sot”- tha ai.
Dje, Kolgeci ka treguar se një predhë metalike e kanë larguar nga këmba e djathtë e policit.
Gjendja e tij ka qenë stabile.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues të grupit terrorist janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.