LAJMI I FUNDIT: Persona të maskuar në Leposaviq sulmojnë punëtorin shqiptar, e kërcënojnë me armë zjarri dhe ia dëmtojnë automjetin

Persona të maskuar janë parë duke lëvizur në rrugët në veri të vendit gjatë javëve të fundit, pas tensionimit të situatës atje.

Këto ditë është raportuar se disa nga ta kanë sulmuar edhe gazetarët e mediumeve kosovare që po qëndrojnë atje për të raportuar mbi zhvillimet e fundit. Keq e pësoi edhe punëtori i një kompanie që merret me tregtimin e artikujve të bujqësisë, kopshtarisë, ngrohjes dhe ftohjes

Paraditen e djeshme, 46-vjeçari, F.I., derisa po udhëtonte për të shpërndarë mallin në komunat e pjesës veriore të Kosovës, me furgonin i cili është në pronësinë e kompanisë për të cilën shërben, dyshohet se është sulmuar nga disa persona të maskuar në Leposaviq.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa viktima po lëvizte në drejtim të Leposaviqit, ku ka hasur në katër persona të maskuar të cilët nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që të kthehet mbrapsht prej nga kishte shkuar.

Pos kanosjes me armë, të dyshuarit i kanë dëmtuar edhe automjetin e punës, duke i shkaktuar kështu dëme materiale.

Për shkak të rrugëve të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë atje, ai ka përdorur rrugë alternative për të kryer punët e tij, e që më pas është kthyer në pjesën jugore të Mitrovicës.

Me të dalë në Mitrovicën e Jugut, ai ka denoncuar rastin te organet e hetuesisë, ku ka dhënë deklaratën e tij duke rrëfyer në detaje gjithë atë që i ngjau.

(foto ilustrim)

Lexo edhe:  U aksidentua me veturë bashkë me shokun e tij, ky është i riu nga Prizreni që humbi jetën