Lajm i keq për Devollët, hapet rruga që Telekomi t’i shpëtojë edhe 13 milionë euro në rastin Z-Mobile

Dhoma e shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale ka kthyer në rivendosje vendimin e shkallës së parë për urdhrin përmbarimor në rastin e Z-Mobile, duke kërkuar nga ajo që të caktojë një ekspert për të bërë një ekspertizë financiare.

Shkalla e parë i ka shpëtuar Telekomit 1.66 milionë euro, duke shfuqizuar një pikë të urdhërit përmbarimor, që parashihte që Telekomi t’ia paguajë Z-Mobilet, pasi sipas saj, Telekomi nuk e kishte obligim që t’i jepte numrat shtesë dhe shërbimet Dardafonit, ndërsa Dardafoni në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shumën prej 1.66 milionë euro dhe ka llogaritur kamatën për to.

Por, krahas kësaj, Telekomi ka kërkuar që të merren për bazë edhe pretendimet për 13 milionë euro të tjera, pasi sipas kësaj ndërmarrjeje, ato i ka paguar vullnetarisht pa pasur procedurë përmbarimi, ndërsa Z-Mobile ka vazhduar të gjenerojë të hyra nga shfrytëzimi i shërbimeve dhe mbajtja e numrave.

Dhoma e Shkallës e Dytë ka gjetur se në vendimin e Shkallës së parë ka pasur shkelje thelbësore të dispozitave dhe procedurës konstetimore.

“Për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitivit dhe procedurës kontestimore, konstatimit jo të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike tani për tani vlerësohet se edhe e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të gabuar, prandaj udhëzohet gjykata e shkallës së parë që në riprocedurë të bëjë eliminimin e shkeljeve, ta ftojë ekspertin për sqarime në seancë dhe nëse ka paqartësi apo mangësi të veprojë sipas sugjerimeve të lartcekura, konform nenit 368 të LPK-së të shqyrtojë mundësinë e angazhimit të një grupi të ekspertëve për hartimin e ekspertizës financiare, si dhe shkelje e tjera të sipërtheksuara ashtu siç parashihet në dispozitat e LPK-së dhe LPP-së që pastaj të nxjerrë një vendim të drejtë në këtë çështje përmbarimore”, thuhet në vendim.

Lexo edhe:  I vrari mbrëmë në Prishtinë, varroset sot – detajet

Telekomi ka paguar afro 40 milionë euro për Z-Mobile./kohanet