Lajçak: Do ta gjej një rrugë përpara në dialog ditëve në vijim

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të hënën herët se do të përqendrohet ditëve në vijim për të gjetur një rrugë përpara në dialog, pas sulmit më armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Në një shkrim në llogarinë e vet në Facebook pak pas mesnatës, Lajçak tha se mbeti i tronditur nga sulmi ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
“Akte të tilla të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe janë kundër parimeve të paqes dhe bashkëpunimit”, tha ai.
Ai tha se ky sulm e thekson edhe më shumë nevojën për dialog dhe diplomaci parandaluese “e cila u nënvizua gjatë javës së kaluar kur mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”.
“Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në dialog, unë kisha bisedime strategjike me partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.
Lexo edhe:  Prishtinë: 21-vjeçari dërgohet në spital pa shenja jete, Policia nis hetimet