Lagjja Marigona, nëna denoncon në Polici ish të dashurin e vajzës së mitur, thotë se s’po e lë rehat!

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Për një rast të tillë Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimit të një gruaje, e cila ka njoftuar Policinë se vajza e saj 16-vjeçare është viktimë e ngacmimit.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në lagjen Marigona në Prishtinë, ku një nëna ka telefonuar Policinë se vajza e saj e mitur është ngacmuar nga ish i dashuri i saj 18-vjeçar, në afërsi të një lokali, pas një debati verbal që patën mes vete.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se nëna e 16-vjeçares ka dhënë versionin se si e bija po ka probleme nga ish i dashuri, i cili nuk po e lë rahat. Posa Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar palët e përfshira në stacion për t’u intervistuar nga hetuesit policorë.

Përveç viktimës, edhe i dyshuari është përballur me denoncimin kundër tij dhe së shpejti pritet të sigurohen prova që dëshmojnë se çfarë kishte ndodhur ditën kritike.

Sipas të njëjtave burime, pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Ngacmim”.

Lexo edhe:  Kurti: Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi, kam besim të plotë në ministren Hajdari