Ky është sigurimi i “famshëm” i BarBon në Prizren që u përfshi në rrahjen e fundit, dora e butë e Prokurorisë e lë të lirë sërish

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët.

Shpeshherë personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët, siç ka ndodhur me Ilirjan Bytyqin, punëtorin e sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren.

Bytyqi nuk është emër i panjohur për organet e rendit, pasi që shumë herë ka përfunduar në pranga për vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë.

Rasti i fundit në të cilin u përfshi, dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të 14 majit, ku dyshohet se ka sulmuar fizikisht një klient të lokalit “BarBon”.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se një person ka kërkuar ndihmën mjekësore si pasojë e lëndimeve trupore, që ka pësuar gjatë konfliktit fizik që ka pasur me sigurimin në këtë lokal. Sipas të njëjtave burime, i dyshuari e ka goditur viktimën me radiolidhje.

Sinjali mëson se vetë Bytyqi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në organet e hetuesisë, ka pranuar të ketë kryer veprën për të cilën dyshohet. Ai ka deklaruar se ka goditur viktimën me radiolidhje, të cilën e kishte marrë në banakun e lokalit.

Këtë rast, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë e kanë neglizhuar, ashtu që fillimisht nuk ishte iniciuar rast edhe përkundër se viktima ka poseduar raportin mjekësor, që e ka marrë pas trajtimit në spital.

Megjithatë, tashmë rasti është iniciuar në Polici dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Drejtoria Rajonale në Prizren, që kanë bërë të ditur se rasti është cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Dëgjohen krisma armësh në një lokal të muzikës në Gjilan, raportohet për përleshje

“Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet dhe rasti po hetohet si “Lëndim i lehtë trupor lidhur me rastin në fjalë. Një person është i dyshuar dhe viktima, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në koordinim me Prokurorin, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”.