Ky është shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me vdekje në Zhur të Prizrenit

Një 63-vjeçar humbi jetën dhe dy të tjerë janë dërguar në gjendje të rëndë në QKUK si pasojë e një aksidenti mes kamionit dhe veturës që ndodhi në orët e mëngjesit në Zhur të Prizrenit. Aksidenti dyshohet se u shkaktua nga shoferi i kamionit, i cili goditi veturën, me ç’rast njëri nga pasagjerët vdiq. I njëjti është arrestuar dhe ndaluar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 37-vjeçarin Bashkim Krasniqin, i cili është dërguar në mbajtje për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ai dyshohet se shkaktoi aksidentin derisa ishte duke lëvizur në rrugën Prizren Zhur, ashtu që për një moment, derisa ka tentuar të kthehej majtas, ka dalë në shiritin e kundërt dhe ka goditur veturën.

Vdekja e pasagjerit është konfirmuar në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Ndërsa dy të lënduarit janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes në moshë mjaft të re mërgimtari Naim Shkupolli