Ky është shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet ku humbi jetën një 74-vjeçar në Mazgit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, saktësisht në fshatin Mazgit, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë në komunikacion, ka humbur jetën 74-vjeçari, Gani Curri. Curri u godit për vdekje nga vetura të cilën po e drejtonte një 49-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet është Avni Fazliu, nga fshati Dumnicë e Poshtme e Vushtrrisë.

Nuk dihet ende se si ka ardhur deri tek aksidenti, por 74-vjeçari ka marrë lëndime të rënda të cilat nuk ka arritur t’i përballojë me ç’rast ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Klan Kosova raporton që i ndjeri është goditur nga dy vetura, njëra pas tjetrës, që kanë qenë duke ardhur nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.

Ndryshe rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se njësia e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave se si ka ndodhur aksidenti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Kampi Belvedere” nga sot do të mbajë emrin e Enver Zymberit