Ky është personi që e kërcënoi gjyqtaren në Prizren, ndalohet për 48 orë

Gjyqtarja e Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Vjollca Buzhala është kanosur së fundmi nga një person dhe motivi lidhet me punën e saj dhe gjykimin në një rast të mëhershëm.

I dyshuari që e kërcënoi gjyqtaren tashmë është arrestuar dhe ndodhet në ndalim policor.

Gjyqtarja Vjollca Buzhala, njëherit gruaja e prokurorit Ramiz Buzhala, e ka denoncuar rastin në Polici lidhur me kanosjen e të dyshuarit, përmes rrjeteve sociale.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që e kanosi gjyqtaren është Agron Dushi, 47-vjeçar.

Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, Dushi po dyshohet se e ka kërcënuar Buzhalën, pasi kohë më parë është gjykuar dhe dënuar nga gjyqtarja për një rast për të cilin akuzohej.

Denoncimi i saj ka vënë në lëvizje Policinë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij dhe e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Lexo edhe:  Lajçak e “hapë” Urën e Ibrit, shkon këmbë në Veri