Ky është personi i arrestuar për tentim vrasjen afër ‘Kids Center’ në Gjakovë
I dyshuari për rastin e tentim vrasjes javën e kaluar në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë tashmë është identifikuar dhe ka përfunduar në pranga. Përveç tij, dyshohet se ka edhe persona tjerë të përfshirë, të cilët janë cak i Policisë.
Nga Policia Rajonale në Gjakovë e kanë konfirmuar arrestimin e të dyshuarit dhe është bërë e ditur se i njëjti është dërguar në mbajtje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u kap nga Policia është Bellmando Pali, rreth 20-vjeçar.
I riu po dyshohet se bashkë me të dyshuarit e tjerë, më 20 janar, në afërsi të ‘Kids Center’ në Gjakovë, kanë sulmuar me armë zjarri viktimat teksa ishin në lëvizje me veturë.
Pas të shtënave me armë zjarri, grupi i dyshuar arriti të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vetura e tyre u gjet e braktisur nga Policia.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Pali është identifikuar si i dyshuar për këtë rast.
I njëjti është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave, 20-vjeçari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje në tentativë”.