Ky është llapjani që sulmoi një zyrtar policor gjatë procesit zgjedhor, ndalohet për 48 orë
Dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit kaloi pa incidente të mëdha, megjithëse disa persona u arrestuan nga Policia, pasi dyshohet se vepruan kundërligjshëm. Një rast i tillë u raportua në Podujevë, ku Policia u pengua dhe u sulmua te shkolla fillore “Xheladin Rekaliu”, raporton Gazeta Sinjali.
Personi i dyshuar fillimisht e kishte fotografuar një qytetar duke votuar, e më pas është kapur me zyrtarët policorë, që ishin në sigurim të procesit zgjedhor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i arrestuar është Sead Jahiri, i cili ka përfunduar nën masën e ndalimit policor.
Jahiri dyshohet se shpërfilli urdhrat e njësisë policore që ishte ne vendin e ngjarjes, me ç’rast njërin nga policët e ka shtyrë – çka i detyroi kolegët e tij që ta vënë situatën nën kontroll, duke përdorur edhe sprej.
Pasi janë ndërmarrë veprimet e nevojshme, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, thonë të njëjtat burime.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.