Ky është i riu që gjuajti me armë Ditën e Pavarësisë në sheshin e Prishtinës, bie në pranga të Policisë

I dyshuari që gjuajti me armë zjarri në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë më 17 shkurt, ditën e Pavarësisë, ka rënë në prangat e Policisë. I riu që veproi kundërligjshëm me armën ilegale që posedonte përfundoi në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u arrestua është Erijon Canolli, (19-vjeçar) ndaj të cilit është iniciuar rasti për dy vepra penale.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Canolli po dyshohet se të shtunën pasdite derisa ka qenë në shesh ka gjuajtur me armë zjarri, e cila iu konfiskua bashkë me mbi 20 fishekë.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në një hapësirë publike kishte shtënë me armë zjarri. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Hoxha nga Mitrovica kërkon të bëhen lutje për shërimin e familjes Brahimi që pësuan mbrëmë nga shpërthimi i bocës së plinit