Ky është i riu që dyshohet se ia vodhi xhaxhait nga diaspora rreth 25 mijë euro në Gjilan

Sot u raportua për arrestimin e të dyshuarit për një rast të vjedhjes që është raportuar para disa ditësh nga pronari i një shtëpie në fshatin Kmetovcë në Gjilan. I dyshuari që ra në prangat e Policisë si i përfshirë në këtë rast është një 29-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Gazeta Sinjali nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Florens Azizin, i cili po dyshohet se ka vjedhur rreth 25 mijë euro nga xhaxhai i tij, i cili kishte ardhur për pushime nga diaspora në Kosovë.

Pasi u zbulua se ai është personi i dyshuar, Policia u aktivizua dhe e arrestoi dhe më pas e shoqëroi në stacion policor për të dhënë deklarate në lidhje me rastin. Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, ai e ka pranuar se e ka kryer vjedhjen, por ka thënë se nuk e ka marrë shumën e parave ashtu siç është denoncuar. Sinjali mëson se ai ka deklaruar se ka marrë mbi 10 mijë euro.

Me t’u përfunduar dëshmia e tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është 40-vjeçari që u gjet pa shenja jete në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje