Ky është i dyshuari që u kap nga Policia me kokainë në veturë, dërgohet në mbajtje

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmjen e 6 majit në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë tentuar të shpëtojnë, duke hedhur një sasi të kokainës, por Policia ka arritur t’i kap në flagrancë.

Shoferi i dyshuar dhe pasagjeri që ndodhej me të janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar.

Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari kryesor, këtë rast shoferi i veturës është: Armend Braka.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e shoferit të veturës dhe inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  “Mirupafshim vendlindja ime”, polici kosovar largohet nga Kosova