Ky është i dyshuari që u kap në flagrancë me rreth 1 kg drogë në Mitrovicë

Një aksion i njësive të Policisë në Jug dhe Veri të Mitrovicës i zhvilluar mbrëmjen e djeshme ka rezultuar me sekuestrimin e rreth një kg substancë narkotike marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës.

Sot u raportua se i dyshuari është ndaluar të dielën në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ku u kap në flagrancë nga Policia, nën dyshimet se posedonte gjësende të kundërligjshme.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Milos Milosavljevic, 63-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Me rastin e kontrollit policor në veturën e tij, zyrtarët policorë kanë gjetur disa qese që kapin vlerën e 700 gramë substancë narkotike, e llojit marihuanë, peshore e pajisje të tjera, që janë sekuestruar si dëshmi. Sinjali mëson se edhe vetura e të dyshuarit është sekuestruar po ashtu, derisa të hetohet rasti.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lexo edhe:  Paraburgim për të dyshuarin për djegien e veturave dhe sulmin ndaj policëve në Veri