Ky është i dyshuari që e sulmoi 41-vjeçarin në lokalin e tij në Fushë Kosovë, Policia po e kërkon

Gazeta Sinjali raportoi të shtunën për një incident që ka ndodhur në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Fushë Kosovë, ku për shkak të një mosmarrëveshje një person ka sulmuar fizikisht një 41-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. I dyshuari po kërkohet nga Policia, ndërsa ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që po dyshohet për këtë rast është Dukagjin Hetemi, i cili është pronari i dyqanit ku ndodhi përleshja dhe i njëjti akoma nuk është kapur nga njësitet policore.

Hetemi po dyshohet se pas një mosmarrëveshje me viktimën, që kishte shkuar në lokalin e tij, ai e ka sulmuar, duke e goditur me një mjet të fortë dhe për pasojë ka marrë lëndime trupore.

Viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka pësuar frakturë në dorë.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, pasi i njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Argjendari italian vret me armë dy grabitësit që i bastisën dyqanin