Ky është i dyshuari për shantazh ndaj 45-vjeçares në Prishtinë, e kërcënonte se do ia publikojë videot intime

Shantazhet që bëhen përmes rrjeteve sociale janë raste të shpeshta në vendin tonë. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, detyrohen të kryejnë favore të ndryshme ndaj të dyshuarve. Për një rast të tillë, është arrestuar dje një person në Prishtinë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Afrim Berisha, 39-vjeçar.

Berisha është denoncuar në Polici nga një grua 45-vjeçare, e cila ka pohuar se ka pranuar mesazhe në numrin e saj në platformën WhatsApp, përmes të cilave shantazhohej se do t’i publikohen disa video intime.

Bazuar në dëshminë e viktimës, 39-vjeçari dyshohet se e ka incizuar pa dijeninë e saj gjatë kohës që kanë kryer marrëdhënie intime bashkë.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, Berisha është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shantazh’, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të merren edhe masa tjera ligjore.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte shantazhuar me publikim të fotografive intime viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Fotografia zemërthyese e tërmetit: E mbuluar nga rrënojat, babai nuk i lëshon dorën vajzës së pajetë