Ky është i arrestuari që arriti të vjedhë revolen e policit brenda stacionit në Mitrovicë– e fshehu në brez dhe u transferua në stacionin tjetër pa u vënë re

Një ngjarje e rrallë dhe skandaloze ka ndodhur më 2 maj 2025 në Mitrovicë, që ka tronditur themelet e sigurisë institucionale. Një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje, jo vetëm që nuk u neutralizua siç parashihet me protokoll, por arriti të vjedhë armën zyrtare të një polici brenda vetë stacionit dhe të dalë nga aty me të në brez – pa u vërejtur nga askush.

Burime të Gazetës Sinjali konfirmojnë se bëhet fjalë për Riad Tahirin, 25-vjeçar, i cili po intervistohej në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut për rastin e armëmbajtjes pa leje. Gjatë kohës sa ndodhej në stacion, ai ka përfituar nga pakujdesia e zyrtarëve dhe ka marrë një revole Gllock me karikator dhe 15 fishekë, që ishte armë personale e një zyrtari policor.

Për më tepër, me armën e vjedhur të fshehur në brez, Tahiri është transferuar në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut, pa u kontrolluar siç duhet. Vetëm pas mbërritjes në stacionin tjetër, gjatë kontrollit të plotë, arma është zbuluar në trupin e tij.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Vjedhje e rëndë”. I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ky rast ka ngritur alarmin për mangësitë serioze në zbatimin e protokolleve të sigurisë brenda stacioneve policore dhe pritet të pasohet me masa të brendshme disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës.

Lexo edhe:  “Edhe 1 mijë Adem Jasharë po të ishin, Kosova do ishte territor i Serbisë” – gazetari shqiptar skandalizon me deklaratën e fundit