Ky është i arrestuari për vjedhjen e 12 mijë eurove
I dyshuari për vjedhjen e rëndë në një shtëpi më 1 korrik tashmë ka rënë në prangat e Policisë. Gazeta Sinjali raportoi sot se ai u kap gjatë ditës së djeshme pasi ishte shpallur në kërkim për më shumë se një javë, nën dyshimet se vodhi 12 mijë euro para e stoli ari. Përveç rastit për vjedhje të rëndë, ndaj tij kanë nisur hetimet edhe për shitblerje të substancave narkotike.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Shaban Sadikin nga fshati Komogllavë i Ferizajt, i cili pasi ra në prangat e Policisë u zbulua se dyshohet edhe për drogë.
Me rastin e arrestimit, atij i janë gjetur në veturë disa qese me substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuanë, që më pas u konfiskuan nga zyrtarët policorë.
Pas paraqitjes së provave në lidhje me këtë rast, janë ngritur dyshimet se i njëjti merret edhe me shitblerje të drogës. Kjo ka bërë që Prokurori i Shtetit të iniciojë rast të ri ndaj të dyshuarit, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.