Ky është hajni që vidhte paratë e bamirësisë në disa xhami
Siguria publike në Kosovë po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Ky fenomen mjaft shqetësues, po shkakton pasiguri e humbje të mëdha. Hajnat, herë të vetëm vetëm e herë në grup arrijnë të bëjnë kërdi në biznese, shtëpi, zyra e lokale të ndryshme gjithandej vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Për plot rast të vjedhjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti në disa xhami në Gjilan, Policia ka arritur që të arrestojë një 23-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Ardian Kurtalani, i cili dyshohet për së paku pesë raste të tilla.
Në bazë të informacioneve të para ai dyshohet për vjedhje në xhamitë në fshatin Zhegër, Miresh, Pidiq, e po ashtu në disa xhami në qytetin e Gjilanit.
Ndaj të dyshuarit, tashmë janë grumbulluar prova të mjaftueshme që dëshmojnë përfshirjen e tij në të gjitha këto raste.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.