Ky është grupi që u arrestua gjatë aksionit ‘Bardhoshi 2’, u kapën me drogë, armë e para false

Sot u raportua për aksionin e koduar si “Bardhoshi 2”, që rezultoi me arrestimin e një grupi kriminal prej tre personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të marihuanës, kokainë, një shumë të të hollave, si dhe armëve. Aksioni u zhvillua në Suharekë, ku u kapën të dyshuarit, teksa bastisjet u kryen në shtëpitë e tyre në Prishtinë. Por kush janë tre të arrestuarit?

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se tre personat që ranë në prangat e Policisë si të dyshuar për disa vepra penale janë Kristjan Prenqi (28-vjeçar), Edon Hisari (25-vjeçar) dhe Diar Kurti (22-vjeçar), të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Ata u ndaluan në fshatin Reshtan, ku pas kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar mbi 30 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë, rreth 800 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, disa telefona dhe një shumë e parave.

Pas arrestimit të të dyshuarve, Policia ka kryer edhe kontrolle në shtëpitë e tyre në Prishtinë, ku po ashtu u sekuestruan edhe një sasi e drogës, armë, mes tyre edhe kallashnikov, municion, para në valuta të ndryshme, si dhe pajisje për përpunimin e substancave narkotike.

Në banesën e Prenqit janë sekuestruar rreth 700 gramë marihuanë, tableta ekstazi, armë e municion. Kurse në banesën e Hisarit janë gjetur dhe sekuestruar po ashtu mbi 700 gramë marihuanë, telefon e peshore për matjene drogës. Teksa te shtëpia e të dyshuarit tjetër Kurti, Policia gjeti mbi 1500 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanaë, armë zjarri, e mbi 150 euro që dyshohen të jenë të falsifikuara.

Lexo edhe:  Vrasja në Gjilan: Viktima është 29-vjeçar, u dërgua në spital me shtatë plagë në trup