Ky është burri nga Peja që dyshohet se kërcënoi mikun e tij pasi s’ia ktheu borxhin prej 14 mijë eurosh

Sot u raportua për një rast të kanosjes për të cilin ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Pejë, pas denoncimit të disa anëtarëve të një familjeje në Novosellë të Pejës. Për këtë konflikt që dyshohet se ndodhi për shkak të një borxhi prej mijërave euro, një person ka përfunduar në ndalim policor.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Fisnik Kelmendin, 32-vjeçar, i cili përfundoi në prangat e Policisë për shkak të kërcënimeve që ia bënte mikut të tij, vëllait të bashkëshortes, për një borxh që ia kishte dhënë kohë më parë.

Sipas deklaratave të dhëna nga viktimat e rastit, është kuptuar se gjithçka ka ndodhur kur i dyshuari ia kishte huazuar mikut të tij një shumë të parave prej 14 mijë eurosh. Këto të holla, viktima s’kishte arritur t’ia kthente ashtu siç ka premtuar dhe si pasojë e pësoi keq, pasi i dyshuari e kërcënoi seriozisht.

32-vjeçari Kelmendi po dyshohet se nuk i ka lënë rehat 33-vjeçarin dhe anëtarët tjerë të familjes së bashkëshortes së tij, duke i kërcënuar edhe përmes personave tjerë.

Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe deklaratave të palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 për dhe ndaj tij të nisin hetimet për “kanosje” dhe “ngacmim”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Thirrje për unifikim të faktorit politik shqiptar në Luginë pas zhvillimeve në veri: Nevojitet maturi e vetëpërmbajtje