Ky është burri 65-vjeçar që dyshohet se e dhunoi seksualisht një grua në shtëpinë e tij në Lipjan

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Të dyshuarit, që në shumicën e rasteve janë persona të moshës madhore e madje edhe të moshuar, shfrytëzojnë çfarëdo forme që t’i keqpërdorin vajzat dhe gratë.  Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Lipjan, një person tashmë është ndaluar, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti i dhunimit dyshohet se ka ndodhur më 25 janar, në shtëpinë e të dyshuarit në Lipjan.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u arrestua lidhur me këtë rast është Afrim Sejfulla, rreth 65-vjeçar, ndërsa viktima është një grua rreth 60-vjeçare.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari ka kryer marrëdhënie intime me të, pa dëshirën e saj, duke përdorur forcën – me qëllim abuzimin seksual.

Gjithë kjo situatë e ka tmerruar gruan, e cila ditën kur ka ndodhur rasti, nuk ka arritur ta denoncojë rastin në Polici, pasi i dyshuari e ka lejuar.

Megjithatë, viktima ia ka dalë të largohet nga shtëpia e tij dhe të kërkojë ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer në detaje atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe viktima është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.

Në anën tjetër, i dyshuari fillimisht nuk është gjetur, por më pas Policia ka siguruar prezencën e tij dhe i njëjti është intervistuar.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.

Lexo edhe:  Vjedhje në shtëpinë e familjes Merovci në Vushtrri, hajnat ‘avullojnë’ 10 mijë euro dhe ari