Ky është biznesmeni që frikësoi inspektorët, pasi e gjobitën për pirje të duhanit në lokalin e tij
Inspektorët sanitarë janë kërcënënuar dje nga biznesmeni pejan Sali Devolli. Ata i kishin shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh biznesit të tij “Zade”, në Pejë.
Kishin hasur aty njerëz duke tymosur duhan.
Por, shqiptimi i kësaj gjobe kishte nervozuar biznesmenin pejan.
Ai dyshohet se më pas ua ka zënë pritën inspektorëve, në dalje të Pejës. “A e dini kush jom?”, “Do të ju rregulloj juve”, janë fjalët që inspektorët pretendojnë se ua ka thanë biznesmeni. Ata e kanë raportuar rastin në Polici.
Siq raporton Sinjali, pak kohë pasi inspektorët ishin larguar nga lokali “Zade”, ata kanë hasur në një bllokadë nga një veturë të cilën dyshohet se po e drejtonte pronari i lokalit, pra Sali Devolli.
Si rezultat i denoncimit në organet e rendit, hetuesit policorë kanë intervistuar 50-vjeçarin në cilësinë e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Ngacmim’.
Ligji kundër duhanit e ndalon që të tymoset duhan në hapësirat e mbyllura. Nëse ligji shkelet, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.
“Së bashku me qytetarët si palë bashkëpunuese, le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës.
Ftojmë qytetarët që kudo që evidentojnë raste të mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka në dispozicion. Ska kthim prapa!”, kishte thënë Peci një muaj më parë përmes një njoftimi.