Ky është automekaniku nga Suhareka që e goditi me çelës të punës 9-vjeçarin, fëmija në gjendje të rëndë

Mbrëmë u raportua për një rast të rëndë që ndodhi në rrugën “Kadri Kokollari” në Suharekë, ku një automekanik ka goditur një fëmijë të moshës 9-vjeçare me çelës të punës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. I dyshuari tashmë është arrestuar, ndërkohë që i mituri po trajtohet në QKUK.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u prangos, si i dyshuar për këtë rast është Skender Bugari, 26-vjeçar, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Siç mëson Sinjali, Bugari e ka goditur fëmijën qëllimisht dhe për pasojë 9-vjeçari ka pësuar frakturë në kokë.

Sinjali raportoi mbrëmë se ngjarja ka ndodhur në servisin e veturave, ku automekaniku i dyshuar goditi fëmijën teksa po riparonte një veturë.

Si pasojë e lëndimeve të marra i mituri është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, por për shkak të lëndimeve të rënda ai është transferuar në spitalin rajonal në Prizren e më pas në QKUK.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Rama: Nga Policia jemi informuar se pas mesnatës çdo e dyta veturë është e armatosur