Ky është 61-vjeçari që u gjet pa shenja jete në Fushë Kosovë, ishte punëtor i TrainKos-it
Një person është gjetur pa shenja jete dje në afërsi të stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë. Vdekjen e të ndjerit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Xhevat Prokshi, 61-vjeçar.
Prokshi ishte punëtor i Ndërmarrjes Publike “Trainkos” dhe i njëjti dyshohet se ka pasur probleme shëndetësore.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, të cilët bëjnë me dije se viktima është i gjinisë mashkullore dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Është raportuar se një person gjendet pa shenja jete afër stacionit hekurudhor Fushë -Kosovë. Njësitë policore si dhe stafi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në viktimën mashkull kosovar, i cili ishte shtrirë në tokë. Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim te prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga “Trainkos”, të cilët u kanë shprehur ngushëllime familjes.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot me 08.02.2024 morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Punëtorit, Kolegut Xhevat Prokshi.
Xhevet Prokshi ka dhënë një kontribut të çmuar në Hekurudhat e Kosovës Trainkos Sh.A .
Që nga dita e parë e punës në Hekurudha u dallua për profesionalizëm dhe për vullnet të pashoq, shumë i respektuar nga kolegët dhe i gjithë stafi.
Në cilësinë e U.D Kryeshefit Ekzekutive, në emër të menaxhmentit dhe stafit u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të ndjerit.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, thuhet në reagimin e Ndërmarrjes.