Ky është 30-vjeçari që kërcënoi me vdekje të dashurën e tij në Prishtinë – autoritetet në kërkim të tij

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë po raportohen situata alarmante, ku të përfshirë janë burra, gra, prindër e fëmijë.

Për një rast të tillë, Sinjali raportoi pak më parë, ku një grua në Prishtinë ka denoncuar bashkëjetuesin e saj për dhunë fizike, psikike dhe kanosje me armë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 30 maj 2025, rreth orës 15:00, në rrugën “Berid Beker”, ku E.B., rreth 27-vjeçare, ka raportuar në Polici se është kërcënuar me vdekje nga S.K., rreth 30-vjeçar, me të cilin ishte në bashkëjetesë për më shumë se nëntë muaj.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është  Sokol Hasani.

Sipas dëshmisë së saj, dhuna në raportin e tyre ka qenë e vazhdueshme që nga fillimi, por ajo nuk e kishte denoncuar më herët për shkak të frikës dhe presionit.

Ajo ka deklaruar se së fundmi, pas një mosmarrëveshjeje, partneri e ka kanosur duke i thënë se do ta vrasë dhe i ka drejtuar një armë, megjithëse nuk dihet se çfarë lloji ishte arma.

Viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, por është larguar përkohësisht tek familja e saj, duke deklaruar se ndjehet e rrezikuar dhe e pasigurt.

Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar për dhunë në familje, i cili ka urdhëruar: Inicimin e rastit si “Dhunë në familje” dhe lëshimin e kërkesës për lokalizimin dhe ndalimin e të dyshuarit.

Policia ka kryer kontroll në banesën e të dyshuarit, por nuk ka gjetur ndonjë armë apo send ilegal.

Rasti është nën hetime intensive, ndërsa autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit.

Lexo edhe:  Mungesë e rrymës edhe gjatë vikendit