Ky është 23-vjeçari nga Mitrovica i dyshuar për shitblerje të marihuanës, Policia ia bastis edhe banesën

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Për një rast të tillë, ka rënë në prangat e Policisë një person në Mitrovicë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Albin Zhigolli, 23-vjeçar.

Zhigolli u kap mbrëmë në flagrancë, pasi u ndal për kontroll nga një njësi policore në rrugën ‘Luan Haradinaj’.

Gjatë kontrollit trupor të dyshuarit i janë gjetur qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa Zhigolli është shoqëruar në stacion policor.

23-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga organet e hetuesisë dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit,  i është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 1.54 gram ndërsa në shtëpinë e tij i janë gjetur: 136.4 gram narkotikë marihuanë dhe një peshore digjitale. Pas intervistimit me vendim të prokurorit,  i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

 

 

Lexo edhe:  Gjendet një trup i pajetë në Vushtrri, Policia jep detaje